75 Mall Live Search
10:40 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2025 / A. M.

Kurteshi “qorton” Alban Hysenin dhe opozitën: Votojeni buxhetin e Gjilanit, leni konferencat!

Ka dështuar për të dytën herë gjatë kësaj jave që të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e cila ishte ftuar nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, me pikën e vetme të rendit të ditës miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Deputeti me i vjetër i kuvendit komunal që e udhëhoqi këtë seancë në mungesë të kryesuesit, Ismajl Kurteshi, ka bërë thirrje që buxheti i komunës të votohet për të mirën e qytetarëve.

“Nuk ka të pafajshëm këtu. Leni konferencat për shtyp dhe paraqitjet se e doni Gjilanin e se doni Gjilanin. Fajtor janë të gjithë, unë kërkoj nga kryetari i komunës që ta kuptojë se ka drejtë me propozuar buxhetin por duhet të harmonizohet me opozitën.

Kërkojë nga opozita të vjen dhe ta votojë buxhetin sepse faji mbetet edhe tek ata. Ata nuk mund të fitojnë pika duke e dëmtuar qytetarin e Gjilanit.

Kanë mbetur edhe dy ditë. Të votohet buxheti dhe të kalohet në çështje të tjera”, është shprehur ai. /Indeksonline/