75 Mall Live Search
13:53 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2025 / k.v

PSRK-ja kërkon nga Apeli dënim ose rigjykim ndaj të akuzuarit për shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta shpallë fajtor Xhemajl Ramushin ose lënda të kthehet në rigjykim. Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ramushi, avokati Hasan Rexha tha se prokuroria ka zero prova.

Xhemajl Ramushi në rigjykim, më 14 qershor 2024 u lirua nga akuza për “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e kolegjit të Apelit në të cilën të martën u shqyrtua ankesa e PSRK-së, fillimisht u hap nga kryetari i kolegjit, gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili kërkoi nga gjyqtarja referuese Afërdita Bytyqi që të referojë çështjen penale ndaj Ramushit.

Gjyqtarja Bytyqi tha se i akuzuari Ramushi ishte liruar nga shkalla e parë pasi nuk është provuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar PSRK-ja, duke kërkuar nga Apeli që çështja të kthehet në rivendosje apo vendimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe Ramushi të shpallet fajtor.

Sipas gjykatëses Bytyqi, Prokuroria e Apelit ka kërkuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet në tërësi.

Ndërkaq, avokati Rexha në fjalën e tij tha se PSRK-ja nuk ka pasur asnjë provë të vetme ndaj Ramushit dhe se të gjitha provat e tjera kanë pasur të bëjnë me të akuzuarit tjerë që kanë qenë në këtë rast.

“Prokuroria s’ka pas asnjë provë, zero prova i ka pasur për Ramushin”, tha avokati Rexha.

Më pas, gjykatësi Bajraktari tha se gjykata do t’i njoftojë palët për vendimin e gjykatës.

Në seancë prezent ishin i akuzuari Ramushi me mbrojtësin e tij, avokatin Hasan Rexha, ndërkaq gjykatësi Bajraktari tha se edhe pse janë ftuar, mungon përfaqësuesi nga Prokuroria e Apelit.

Lidhur me punën e Prokurorisë së Apelit, Instituti i Kosovës për Drejtësi në vitin 2020 kishte publikuar raportin “Prokuroria pasive e Apelit”, ku ndër të tjera kishte sqaruar mosinteresimin e kësaj prokurorie për të përfaqësuar lëndët në seancat e kolegjit në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2022 i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me 8 vjet e gjysmë burgim të akuzuarit Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Bekim Sylejmani, me 1 vit burgim me kusht të akuzuarit Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, ndërsa janë liruar nga akuzat Xhemajl Ramushi, Hasip Kiki dhe Samet Ballazhi, e iu refuzua aktakuza të akuzuarve Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi.

Por më 31 korrik 2023, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, vetëm sa i përket të akuzuarve: Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, për veprën penale në vazhdimësi “Shmangia e pagesave të detyrueshme doganore” nga neni 318, paragrafi 3, lidhur me paragrafin I e lidhur me nenin 31 si në pikën V të dispozitivit të aktgjykimit, ashtu që për këtë pikë të dispozitivit, çështja penale u kthye në rigjykim.

Ndërkaq, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, pjesa tjetër e aktgjykimit të themelores u vërtetua.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Nazmi Kalisi dhe Tahir Curri, të cilët ngarkoheshin për veprën penale “Shmangie nga tarifat e detyrueshme doganore”.

Kurse, për të akuzuarin Xhemajl Ramushi, në seancën e 17 tetorit 2023, Gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale për shkak se jeton jashtë vendit.

Në rigjykim, më 14 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Xhemajl Ramushit për “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”.

Ndryshe, prokurori Haki Gecaj në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për krim të organizuar ndaj të akuzuarve, por i njëjti kishte bërë rikualifikimin e veprave penale të cilat u viheshin në barrë të akuzuarave.

Ndaj të akuzuarit Kadri Kamberi veçse ishte veçuar procedura më parë, kurse ndaj të akuzuarve Rrahman Ljamalari dhe Jonuz Ljamalari, ishte parashkruar vepra penale për të cilën akuzoheshin.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.

Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkonte me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit. Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi thuhet se kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore. Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, thuhet se kanë kryer veprat penale krim i organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe veprën penale dhënie e ryshfetit.

Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkoheshin me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi. Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzoheshin edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”. Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura.