Osmani takon përfaqësues të organizatave, diskutohet themelimi i Komisionit për drejtësinë transicionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare në Kosovë, takim në të cilin ata kanë diskutuar rreth përgatitjeve për themelimin e Komisionit presidencial për drejtësinë transicionale.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e presidencës, ku është shtuar se themelimi i këtij komisioni rrjedh nga Strategjia për drejtësinë transicionale e Kosovës dhe se procesi i funksionalizimit do të vazhdojë në javët në vijim.
Njoftimi:
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar themelimin e Komisionit presidencial për drejtësinë transicionale.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim përfaqësues të disa organizatave joqeveritare në Kosovë, ku u diskutua rreth përgatitjeve për themelimin e Komisionit presidencial për drejtësinë transicionale.
Themelimi i këtij komisioni rrjedh nga Strategjia për drejtësinë transicionale e Republikës së Kosovës, ndërsa procesi i funksionalizimit të tij do të vazhdojë në javët në vijim, në bashkëpunim me organizatat përfaqësuese të viktimave të luftës në Kosovë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e organizatave joqeveritare në proceset që lidhen me drejtësinë transicionale dhe falënderoi të pranishmit për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë proces.