Qindra raste në pritje të IVF, të interesuara dhe gratë mbi moshën 42-vjeçare të cilat duhet t’i nënshtrohen një procedure tjetër

Në dhjetor të vitit që shkoi, për herë të parë në shëndetësinë publike të Kosovës, ka filluar Shërbimi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF). Një mundësi kjo e mirë për çiftet që përballen me infertilitet, duke përdorur teknologji moderne dhe shërbime të standardizuara.
Derisa ky shërbim në institucionet private kushton deri në 3000 euro, në Klinikën e Gjinekologjisë do të ofrohet falas dy herët e para. Ndërsa pas kësaj për herën e tretë, çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.
E ka një interesim të jashtëzakonshëm për proceduren e IVF-së në Gjinekologji.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj ka thënë për “Indeksonline” se ka me qindra raste të cilat janë paraqitur në klinikë.
Ndrejaj thotë se deri më tani janë gjithsej 420 raste të cilat kanë përfunduar klasifimimin, konsultat dhe përpunimin e diagnozave. E po ashtu ka dhe dhjetra raste të tjera, në pritje për ekzaminim.
“Ka interesim të madh për IVF dhe se ka edhe disa raste në pritje të grumbullimit të diagnozave dhe klasifikimit, ende janë duke u marrë me to mjekët e repartit. 420 raste janë klasifikuar, por interesimi është shumë i madh dhe se ka dhe raste të cilat janë në listë të pritjes për me ardh tek kontollet, diagnozat dhe analizat labortatorike. Janë dhe dhjetra raste në pritje për klasifikim”, tha ai.
Ndrejaj thotë se nuk ka ngecje në këtë porces dhe se procesi i Frytnimit të Asistuar Mjekësor (IVF), po realizohet sipas planit, i cili është i ndarë në tri faza.
Ndërsa thotë se janë në pritje të barnave hormonale, për të filluar pastaj me fazen e dytë të procesit .
“Jemi në pritje dhe të barnave hormonale. Është hapur tenderi, por deri të furnizohemi nga operatorët. Ato barna janë në listë esenciale, por duhet ta gjejmë operatorin që na furnizon. Mediumet ku rriten qelizat janë siguruar. Tash jemi në pritje të terapisë hormonale nga operatori, furnizuesi”, thotë ai.
Ndrejaj thotë se në muajin mars pritet të fillojë faza e dytë e që është stimulimi i vezorëve tek rastet e para, për të vazhduar më pastaj dhe me fazën e tretë dhe të fundit, e që është faza e frytnimit, e cila pritet të filloj në muajin prill apo maj.
E në mesin e grave të intersuara ka dhe nga ato të cilat kanë kaluar dhe moshën 42 vjeçare, gjë që e vështirësonë procesin. Por për të cilat Ndrejaj thotë se ka procedurë tjetër.
“Është një moshë e caktuar deri ku mund ta bëjmë. Është mosha deri në 42 vjeç. Por ka raste kur vijnë 43 e 45 vjeçare, e nuk mundesh t’i refuzosh sepse ndihen të anashkaluara. Por është një komision i Ministrisë së Shëndetësisë, tek i cili duhet t’i dërgojmë pacientet mbi moshën 42 vjeçare në mënyrë që nga atje tu ipet drita e gjelbër, sepse për këto raste kërkojnë të dhëna tjera. Deri në 42 vjeçare mund të hyjnë në procedurë. Pas moshës 42 vjeçare është procedurë tjetër përmes komisionit në MSH, i cili lejon apo jo këtë procedurë”, thotë Ndrejaj. /Indeksonline/