75 Mall Live Search
18:38 / E Martë, 04 Mars 2025 / MSH

Përfundon numërimi, publikohen rezultatet e votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat nga 100% e numërimit të votave të ardhura përmes postës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, proces i cili përfundoi sot në ora 16:00.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, nga numërimi i 187 kutive që ishin gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 31,963 vota, apo 51.57%. E dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 18,933 vota, që i përgjigjet 30.55%. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 5,878 vota, apo 9.48%, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 2,000 vota, apo 3.23%.

Ndërkohë, aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve me kusht, derisa do të vazhdohet me numërimin e atyre votave të dhëna nga personat me nevoja të veçanta.

I gjithë procesi i numërimit, sipas KQZ-së, pritet të përmbyllet nesër gjatë ditës.

Ky është njoftimi i plotë që ka bërë KQZ-ja:

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Të martën, më 4 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 187 kutitë e votimit në të cilat ishin të ndara fletëvotimet nga komuna të ndryshme të cilat i takojnë votuesit e regjistruar për votim nga jashtë vendit.

Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët janë publikuar platformën https://rezultatet2025.net

Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të votave nga votimit me kusht i zhvilluar në 56 vendvotime të ndryshme të Republikës së Kosovës.