75 Mall Live Search
10:18 / E Enjte, 06 Mars 2025 / MSH

Si ndodhi prishja e trenit të dielën? Trainkos-i thotë se lokomotivat i kontrollon çdo herë…

Mëngjesin e së dielës, treni në linjën e vetme funksionale, Prishtinë-Pejë, pësoi prishje.

Në mes të dy fshatrave, Aqarevë dhe Ujmirë, treni u ndal, sakaq u ndërpre përkohësisht edhe qarkullimi hekurudhor, raporton IndeksOnline.

Teksa afro 20 udhëtarëve iu desh të vazhdojnë tutje rrugën në mënyra të tjera alternative, punonjësit priten arritjen e ekipeve teknike për të rregulluar defektin.

Nga Trainkos-i thonë për Indeksonline se incidenti i papritur ndodhi për shkak të sistemit të ftohjes së motorit.

Ndonëse bartja e udhëtarëve nuk është bërë nga ndërmarrja, të njëjtit pohojnë se me të marrë informacionin është nisur lokomotiva tjetër për të shkuar dhe tërhequr trenin, si dhe për të bërë bartjen e udhëtarëve.

“Pas njoftimit të ndaljes së lokomotivës, personeli i ndërmarrjes menjëherë ka kontaktuar operativen dhe pas kësaj është nisur menjëherë lokomotiva tjetër, për të shkuar dhe ta tërhequr trenin, rrjedhimisht për të bërë bartjen e udhëtarëve. Defekte mund të ketë çdoherë – nuk ka asnjë lokomotivë që nuk mund të bie në defekt gjatë punës së saj”, deklaron Trainkos-i.

Nga kjo ndërmarrje thonë se lokomotivat kontrollohen çdo herë dhe në mënyrë të vazhdueshme, sipas rregullores për mirëmbajtjen e mjeteve lëvizëse, duke pohuar se njëjtë është kontrolluar edhe të dielën, para se treni të nisej nga Prishtina.

Të pyetur nëse kanë ngritur çështjen e zëvendësimit të lokomotivave me disa më të reja dhe më të sigurta, nga Trainkos-i thonë:

“Ndërmarrja ka ngritur këtë çështje. Ne jemi gjithmonë duke synuar përmirësimin e kushteve dhe komoditetit të udhëtimit te pasagjerëve. Nder vite, mbështetja në investimet kapitale është simbolike në krahasim me nevojat e ndërmarrjes dhe në krahasim me investimet që ky sektor i transportit kërkon.”