Cakolli vlerëson se anulimi i votave me postë do të kishte pasoja të mëdha

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka konsideruar se do të kishte pasoja të mëdha anulimi i plotë i votave me postë, të ardhura nga diaspora.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kërkesën për anulimin e rezultateve të votimit me postë, si dhe kërkesën që të urdhërojë Komisionin Qendror Zgjedhore që të përsërisë votimin.
Në ankesën e dërguar në PZAP, Vetëvendosje po pretendon që në fletëvotimet e ardhura me postë ka pasur manipulime dhe se është cenuar e drejta e votës, shkruan IndeksOnline.
Cakolli vlerëson se një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por gjithashtu do të ndëshkonte edhe qytetarët që kanë votuar në mënyrë të rregullt.
“Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme”, shkroi Cakolli në Facebook.