Mbrojtja e Bashkim Smakajt akuzon Prokurorinë e Hagës për abuzim, thotë se fshehu prova të rëndësishme

Përderisa në Gjykatën Speciale procesi kundër krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën e fundit, akuza tjetër për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt dhe të tjerëve, vazhdon të jetë nga fillimi. Megjithatë, pavarësisht kësaj, zhvillimet edhe në këtë rast janë të rëndësishme.
Mbrojtja e Bashkim Smakajt, ish-shefit të AKI-së në Kosovë, ka bërë një parashtrim ku e akuzon Prokurorinë e Hagës për veprime siç i quajnë ata, shokuese.
Njëri prej dy dëshmitarëve tek i cili Bashkim Smakaj akuzohet nga Gjykata Speciale ka ndikuar, kishte dhënë një intervistë tek Prokuroria e Hagës më 6 dhjetor 2023. Sipas mbrojtjes së Smakajt, kjo intervistë dëshmon se ish-shefi i AKI-së nuk ka ndikuar asnjëherë tek ky dëshmitar, me qëllim për t’i treguar çka të dëshmojë.
Por, sipas mbrojtjes së Smakajt, është diçka tjetër që e bën edhe më të madh këtë skandal. Në një parashtresë të cilën e ka parë Nacionale, mbrojtja e Smakajt e ka akuzuar Prokurorinë e Hagës se e ka mbajtur të fshehur këtë intervistë, dhe nuk ia ka ofruar Gjykatës Speciale para konfirmimit të aktakuzës. Madje, sipas tyre, Prokuroria as nuk e kishte përmendur ekzistencën e kësaj interviste.