Të paktën 220 të vrarë pasi Izraeli nisi sulme të gjera në Gaza

Të paktën 220 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite gjatë natës, raportojnë mediat botërore.
Zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, drejtuar nga Hamas-i, ka deklaruar se të paktën 220 njerëz janë vrarë nga këto sulme.
Ushtria izraelite ka njoftuar se po kryen sulme “të gjera” pasi bisedimet për zgjatjen e armëpushimit nuk arritën me një marrëveshje, raporton BBC-i.
Kjo është vala më e madhe e sulmeve që ka goditur Gazën që nga fillimi i armëpushimit, më 19 janar.
Raportohet se ndër të vrarët është edhe Mahmoud Abu Wafah, zyrtari më i lartë i sigurisë i Hamasit në Gaza.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të “veprojë kundër Hamasit me forcë të shtuar ushtarake”.
Ndërkohë, Hamasi e ka akuzuar Izraelin për prishjen e marrëveshjes së armëpushimit.