75 Mall Live Search
12:55 / E Martë, 18 Mars 2025 / k.v

Prokuroria Themelore e Pejës publikon raportin e punës për muajin shkurt 2025

Prokuroria Themelore e Pejës, ka publikuar raportin e saj mujor për muajin shkurt 2025, duke njoftuar për aktivitetet dhe rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe.

Sipas raportit, gjatë muajit shkurt janë pranuar gjithsej 213 kallëzime penale kundër 257 personave, ndërsa departamentet përkatëse të kësaj prokurorie kanë përfunduar 275 raste, që përfshijnë 352 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në këtë periudhë, Departamenti i krimeve të rënda dhe ai i përgjithshëm kanë ngritur 184 aktakuza, duke përfshirë 226 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Departamenti për të mitur ka bërë 12 propozime për shqiptimin e masave edukative ndaj personave të mitur të përfshirë në veprime të kundërligjshme.

Një çështje shqetësuese mbetet dhuna në familje, ku gjatë muajit shkurt janë raportuar 29 kallëzime penale, ndërsa prokuroria ka ngritur 15 aktakuza ndaj 19 personave, të cilat tashmë janë dorëzuar në gjykatat përkatëse.

Përmes procedurave alternative, janë përfunduar 33 raste kundër 44 personave. Nga këto, 26 raste janë zgjidhur përmes ndërmjetësimit, ndërsa në 7 raste është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Prokuroria Themelore e Pejës mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në trajtimin e rasteve penale me efikasitet dhe transparencë.