75 Mall Live Search
13:52 / E Martë, 18 Mars 2025 / k.v

Ministrja Haxhiu dhe drejtori Dibrani takojnë homologët danezë për marrëveshjen e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë zhvilluar një takim me ministrin danez të Drejtësisë, Peter Hummelgaard, dhe drejtoreshën e përgjithshme të burgjeve dhe Shërbimit Sprovues të Danimarkës, Ina Eliasen.

Në fokus të takimit ishte zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan. Palët diskutuan mbi organizimin dhe funksionimin e kësaj qendre, përfshirë angazhimin e stafit korrektues dhe administrativ, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë dhe korrektimit.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të zgjeruar këtë partneritet edhe në fusha të tjera të ngjashme në të ardhmen, duke vënë theksin në shkëmbimin e përvojave dhe standardeve ndërkombëtare për menaxhimin e institucioneve korrektuese.

Gjatë vizitës zyrtare, delegacioni nga Kosova pati mundësinë të vizitonte Burgun e Sigurisë së Lartë të Storstrøm në Danimarkë, ku u njohën nga afër me standardet dhe praktikat më të avancuara të menaxhimit të institucioneve korrektuese në këtë shtet.

Ky takim dhe vizita në Danimarkë konsiderohen një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e drejtësisë dhe sistemit korrektues./IndeksOnline/