Aksioni në veri – në mesin e të arrestuarve edhe një polic serb

Policia e Kosovës realizoi sot një operacion të gjerë në veri të vendit, që rezultoi me bastisjen e 21 lokacioneve dhe arrestimin e 16 personave.
Nga policia, për IndeksOnlinen deklaruan se aksioni u realizua në dy rajone: Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut dhe se ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, kontrabandimit me armë dhe municion.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, konfirmoi se 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
Si dëshmi materiale, gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR
Burime të IndeksOnlinet pohojnë se në mesin e të arrestuarve ishte edhe një zyrtar policor.
Tadija Radivojeviq, sipas burimeve, është pjesëtar i komunitetit serb në veri dhe nuk ka shumë kohë që ka veshur uniformen e Policisë së Kosovës./IndeksOnline/