Detaje ekskluzive nga tragjedia mbrëmë në Prishtinë: Tre sulmues me “C Class” të bardhë, plagosja e Miftarit dhe vrasja e Gashit

Rruga “Rrustem Hyseni” në kryeqytet mbrëmë u trazua pas disa të shtënave me armë zjarri.
Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, rreth orës 22:30, dy persona kanë nxjerrë armët me të cilat kanë shtënë në drejtim të një tavoline, ku u plagosën dy persona, një prej të cilëve edhe ndërroi jetë.
Por, si ndodhi e gjithë ngjarja?
Rreth orës 22:30, një veturë e bardhë e tipit “Mercedes C-Class” arriti pranë lokalit, nga dolën dy persona të maskuar dhe një pa maskë.
Ata hynë në lokal, ku hapen zjarr me kallashnikovë, në drejtim në një tavoline.
Viktima që pësoi më së shumti nga ky incident ishte Naser Gashi, i cili ato çaste ishte në një tjetër tavolinë dhe rastësisht u qëllua nga breshëria e plumbave.

I plagosur mbeti Miftar Miftari, i cili mori tri plagë në trup.
Për këtë të fundit, mjeku kujdestar i Emergjencës, Agron Çitaku, deklaroi se është i shtrirë në Klinikën Ortopedike.
Burime të IndeksOnline pohojnë se Miftari pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale sot.

Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar mbrëmë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, e cila deklaroi se është identifikuar një nga të dyshuarit.
IndeksOnline raporton se një nga të dyshuarit kryesor për këtë rast, Alban Gashi, është në arrati./IndeksOnline/
