75 Mall Live Search
20:53 / E Mërkurë, 26 Mars 2025 / Z S

Momenti kur autobusi turistik bie në lum në Torino, humb jetën shoferi

Një autobus turistik ka rënë në lumin Po, pranë Piazza Vittorio Veneto, në qytetin e Torinos.

Mjeti ka devijuar jashtë rruge duke u përplasur me murin mbrojtës dhe më pas ka rënë në lumë duke u zhytur pjesërisht në ujë.

Në bord ishte vetëm shoferi, i cili u gjet pa ndjenja dhe pas përpjekjeve të gjata për ta ringjallur, u deklarua i vdekur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë edhe me një helikopter ndërsa vijojnë kërkimet për të verifikuar nëse ka pasur persona të tjerë në bord ose kalimtarë të përfshirë në aksident.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Murazzit, shumë pranë qendrës historike të qytetit.

Autobusi i përkiste kompanisë Di Carlo Tour me seli në Campobasso.

Sipas hetimeve të para, autobusi po ecte mbrapsht, ndoshta sepse shoferi kishte gabuar rrugën ose kishte pësuar një problem shëndetësor gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë lëvizjes së tij, autobusi ka goditur  tre gra por asnjëra prej tyre nuk është në gjendje të rëndë

Filippo Camedda, pronari i një lokali pranë Murazzit, ka qenë dëshmitar i aksidentit dhe ka treguar:

“Pashë një autobus që po ecte me një shpejtësi të çmendur. U përplas me një balustradë prej guri, mbeti pezull për një moment dhe më pas ra në lumë. Gjithashtu, goditi një grua, por fatmirësisht vetëm lehtësisht dhe pa i shkaktuar dëmtime të rënda”.

Ai shtoi se disa persona nga një klub kanotazhi afër lumit kanë ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar:

“Vrapuam me një jelek shpëtimi. Ndërkohë, disa djem nga klubi i kanotazhit u hodhën në ujë. U hodh një çekiç, ata thyen xhamin e autobusit dhe arritën ta nxjerrin shoferin. Nga sa pamë, brenda autobusit nuk kishte të tjerë pasagjerë”.

Sipas dëshmitarëve, kanotierët tentuan ta rianimonin autistin për rreth 30 minuta, ndërsa prisnin mbërritjen e shërbimeve të emergjencës.

Zjarrfikësit ishin të parët që arritën në vendngjarje, duke bllokuar hyrjen në zonën e aksidentit, pas tyre mbërriti ambulanca, por fatkeqësisht autisti nuk ia doli dot.