75 Mall Live Search
20:08 / E Martë, 01 Prill 2025 / MSH

Dëmtohen vagonët e rinj të trenit në Han të Elezit, reagon ashpër “Trainkos”

Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka njoftuar opinionin publik se sot, në stacionin hekurudhor të Hanit të Elezit, është evidentuar një akt i qëllimshëm dëmtimi i disa vagonëve të sapo riparuar, të cilët qëndrojnë në këtë stacion përkohësisht për shkak të mbylljes së linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Sipas “Trainkos”, vagonët në fjalë janë rikonstruktuar përmes një investimi publik në vlerë prej 423,000 euro, të ndara nga Ministria e Ekonomisë, dhe ende nuk janë vendosur në operim.

Nga kjo shoqëri aksionare vlerësojnë se dëmtimi i tyre para përdorimit operacional paraqet një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për përmirësimin e transportit hekurudhor në Kosovë.

“Ky akt është një shembull i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së ndërgjegjësimit qytetar për ruajtjen e pronës publike. Dëmtimi i aseteve të ndërmarrjes nuk cenon vetëm Trainkos-in si institucion, por gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve publike”, thuhet në reagim publik.

Trainkos Sh.A. ka informuar organet kompetente dhe është në pritje të ndërmarrjes së hetimeve të nevojshme dhe të merren masa ndaj personave përgjegjës.

“Ne mbetemi të përkushtuar në ofrimin e një transporti të sigurt, cilësor dhe modern, dhe kërkojmë nga të gjithë qytetarët bashkëpunim për mbrojtjen e aseteve publike dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen”, përfundon njoftimi.