Arrestohet një person në Kaçanik – a ka të bëjë me vrasjen e policit Lika?

Një tragjedi tronditi mbrëmë Kaçanikun, ku pak para mesnatës, një polic u vra në hyrje të banesës së tij.
Në drejtim të Muhamet Likës u shti disa herë me armë zjarri, me viktimën që ndërroi jetë çaste më vonë në emergjencën e Kaçanikut, pasi nuk u bëri ballë plagëve të marra, raporton IndeksOnline.
Rastin mbrëmë e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se hetuesit dhe krimteknikët rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
“Nuk dihen akoma shkaqet se si ka ardhur deri te kjo ngjarje”, deklaroi Veseli.
Ndërkohë, mbrëmë pas mesnate, policia në Kaçanik arrestoi një person në mes të rrugës.
Në pamjet e publikuara nga mediumi “S’je Kaçanikli nëse…” shihet momenti kur një i dyshuar prangoset nga disa zyrtarë policorë.
Ende nuk dihet nëse arrestimi i këtij të dyshuari ka të bëjë me vrasjen e policit Lika./IndeksOnline/