Më 20 prill përurohet Mitropolia e parë shqiptare për ortodoksët e Kosovës

At Nikolla Xhufka ka njoftuar se do të përurohet mitropolia e parë shqiptare ortodokse, në Kosovë.
Ky përurim do të mbahet, më 20 prill në Prishtinë, pranë kishës katolike “Shën Antonio i Padovës”.
Në ambientet e mitropolisë, më pas do të mbahet edhe ceremonia e Pashkëve Ortodokse.
Ky është njoftimi i plotë i At Nikolla Xhufkës:
Ftesë Publike!
Përurimi i Mitropolisë së parë shqiptare ortodokse në Kosovë!
Me gëzim të madh dhe emocion të thellë, kemi kënaqësinë të ftojmë komunitetin dhe të gjithë të interesuarit në përurimin e mitropolisë së parë ortodokse shqiptare në Kosovë, e cila do të mbahet, më 20/04/2025
Do të jetë një mundësi unike për të festuar së bashku një moment historik për besimin ortodoks shqiptar dhe komunitetin vendës.
Ceremonia e përurimit do të drejtohet nga shkëlqesia e tij kryepeshkopi i parë i Prishtinës, Pejës dhe gjithë Kosovës +NIKOLLA
Në prani të autoriteteve fetare, politike dhe intelektualëve shqiptarë.
Pritje zyrtare për pashkët, më pas, kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen zyrtare të pashkëve, e cila do të mbahet në ambiente të mitropolisë.
Do të jetë një moment gëzimi për të ndarë së bashku vlerat e paqes dhe shpresës që karakterizojnë këtë event historik.
Adresa: Prishtinë, rruga “Filip Shiroka” nr 13 “Ulpianë” pranë kishës katolike “Shën Antonio i Padovës”.
Mitropolia do qëndrojë e hapur për vizitorët nga ora 10:00 deri në orën 17:00
Me përulësi kryepeshkopi i Prishtinës, Pejës dhe gjithë Kosovës +NIKOLLA