Haxhiu reagon ndaj lajmit për hallkat elektronike, ja faktet që e korisin atë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot ndaj shkrimit të Indeksonline për temën e hallkave elektronike për të burgosurit.
Ministrja e ka quajtur lajmin si të pavërtetë dhe shpifës. Por janë të gjitha faktet që Haxhiu është ngutur me konstatimin e saj dhe para reagimit është dashur të konsultohet me stafin e saj.
Indeksonline posedon të gjitha dëshmitë për trajtimin profesional të temës në fjalë dhe për këtë ka pritur përgjigje me ditë të tëra.
Për të qenë korrekt dhe profesional, Indeksonline ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për çështjen e hallkave elektronike.
Në përgjigjen e ministrisë së Haxhiut, thuhet se për këtë temë duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Bazuar në kërkesën e MD-së, Indeksonline ka nisur pyetjet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Por MPB-ja ka thënë se nuk është kompetencë e tyre dhe se pyetjet duhet t’i dërgoni në ministrinë e Albulena Haxhiut dhe në polici.

Zinxhiri i pyetjeve është nisur në Policinë e Kosovës, përgjigje të cilat në tërësi janë të publikuara edhe në lajmin në fjalë.
Indeksonline ka kontaktuar edhe zëvëndësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu. Për hir të korrektësisë portali do të publikojë edhe bisedat me të i cili rekomandon që për këtë temë të kontaktohet këshilltarja e ministres Haxhiu, Nazlie Bala.
E njëjta ka thënë është marrë në fillimin e procesit, por pastaj ky rast ka kaluar në MPB.
Bazuar në të gjitha përgjigjet e marra nga tri dikasteret dhe personat përgjegjës, Indeksonline ka publikuar lajmin duke dhënë të gjitha versionet e zyrtarëve të lartë të ministrisë së Albulena Haxhiut.
Por ministrja duke qenë në detyrë, duket se është ngutur dhe nuk ka marrë konfirmimet brenda stafit të saj para se të bënte një reagim të pamatur dhe aspak profesional./IndeksOnline/