75 Mall Live Search
13:44 / E Hënë, 07 Prill 2025 / S Z

Kurti fton Abdixhikun për konsultime, por analistët kritikojnë: Ftesë e paqartë dhe me lëshime teknike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë Albin Kurti, i ka dërguar një letër kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e fton për konsultime para konstituimit të parlamentit.

Kurti në letren drejtuar Abdixhikut, i ka lënë opsion dy data si mundësi për takim.

 “Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në një takim të mërkurën, më 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, më 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në ftesen e Kurtit.

Por analisti politik Albert Krasniqi thotë për Indeksonline se ftesa e Kurtit mbetet e paqartë sa i përket qëllimit të takimi. Ftesa po ashtu sipas Krasniqit përmban lëshime teknike, si mungesa e përcaktimit të vendit të takimit dhe fakti që është nënshkruar në cilësinë e kryeministrit në detyrë,  një funksion ku takime të tilla nuk kanë relevancë.

“Ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmban lëshime teknike, si mungesa e përcaktimit të vendit të takimit dhe fakti që është nënshkruar në cilësinë e Kryeministrit në detyrë – një funksion ku takime të tilla nuk kanë relevancë. Përveç këtyre, ftesa mbetet e paqartë edhe për sa i përket qëllimit të saj. Në letrën e publikuar thuhet se takimi synon “konsultim” për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, pa e specifikuar nëse bëhet fjalë për një ftesë për “bashkëpunim” në kuadër të një koalicioni paszgjedhor. Sipas praktikave institucionale, takimet konsultative i zhvillon kryetari i Kuvendit të legjislaturës paraprake, dhe jo Kryeministri në detyrë”, thotë Krasniqi.

Kjo qasje e Kurtit, sipas Krasniqit duket si një përpjekje e tij për t’iu shmangur një deklarimi të qartë publik mbi mundësinë e përfshirjes së LDK-së si partnere qeverisëse.  Kjo sipas tij mund të shihet si një përpjekje për të dobësuar fuqinë negociuese të NISMËS.

“Kjo qasje duket sikur një përpjekje e Kurtit për t’iu shmangur një deklarimi të qartë publik mbi mundësinë e përfshirjes së LDK-së si partnere qeverisëse. Njëkohësisht, kjo mund të shihet si një përpjekje për të dobësuar fuqinë negociuese të NISMËS, e cila, sipas raportimeve në media, ka paraqitur kërkesa maksimaliste për t’u bërë pjesë e një koalicioni me Vetëvendosjen”, ka thënë Krasniqi./Indeksonline/