75 Mall Live Search
11:33 / E Enjte, 10 Prill 2025 / k.v

Gati konstituimi i Kuvendit/ Kurti pa partnerë, ka 15 ditë për të propozuar qeverinë

Zyra e presidentes së Kosovës ka njoftuar se më 15 prill 2025 do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 shkurtit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për 15 prill 2025”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e presidentes.

Pas kësaj date, fillojnë të vlejnë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë së re, të parashikuara në nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, transmeton IndeksOnline.

Sipas këtij neni, presidentja e republikës ka deri në 15 ditë nga konstituimi i kuvendit për të mandatuar kandidatin për kryeministër – zakonisht nga partia që ka fituar shumicën. Në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para me 48 ulëse, por ende pa numrat e mjaftueshëm për të krijuar qeverinë.

Albin Kurti, lideri i VV-së, ka bërë një përpjekje për të siguruar mbështetje duke ftuar në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por ky i fundit e ka refuzuar ftesën që në fillim. Kjo e lë aktualisht Vetëvendosjen pa aleancë të konfirmuar për shumicë parlamentare.

Pas marrjes së mandatit, kandidati për kryeministër ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e qeverisë dhe për ta votuar atë në kuvend. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Nëse dështon përpjekja e parë, presidentja ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër dhe nëse dështon edhe kjo tentativë, vendi shkon sërish në zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja e tyre.

Pra, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për formimin e qeverisë brenda këtyre afateve kushtetuese, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje në qershor ose në korrik./IndeksOnline/