75 Mall Live Search
22:41 / E Diele, 13 Prill 2025 / FR

Vdes 22-vjecari nga Malisheva, u lëndua rëndë në vendin e punës para pesë ditëve

Një 22-vjeçar nga Malisheva ka vdekur, pasi ishte lënduar para pesë dite në vendin e punës.

IndeksOnline kanë mësuar se bëhet fjalë për Isuf Xhyliqi, nga fshati Marali i Malishevës.

Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhëndës polici për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ku njoftoi se se më 7 prill i njëjti ishte lënduar në vendin e punës, dhe për këtë rast është iniciuar rasti “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Elezaj, bëri të ditur se viktima ishte duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë.

“Më datë 07.04.2025, në Stacionin Policor në Malishevë është iniciuar rasti “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, pasi që rreth orës 16:40 viktima, mashkull i moshës madhore, ishte dërguar në QKMF në Malishevë me lëndime të rënda trupore, të cilat dyshohet se janë shkaktuar në vendin e tij të punës, në fshatin Dragobil. I njëjti më pas ishte dërguar në QKUK në Prishtinë, ku sot jemi njoftuar nga stafi mjekësor se ai ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet për ekzaminim mjeko-ligjor”, ka thënë Elezaj./IndeksOnline/