Policia me aksion, konfiskohen armë, fishekë e radiolidhje

Policia e Kosovës në raportin e saj 24-të orësh ka bërë të ditur se janë raportuar tre raste të armëbatjes pa leje.
Fillimisht në lagjen “Veternik” në orën 19:40 minuta është arrestuar një person pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz dhe 7 fishekë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Llaushë të Podujevës ku gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz.
Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti, i dyshuari është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa rasti i tretë ka ndodhur në fshatin Dobrotin të Graçanicës ku njësitë policore gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kanë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë gjuetie, 50 fishekë dhe tri radiolidhje.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje./Indeksonline/