PDK hyn e para në sallë, deputetët vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

Për herë të tretë me radhë, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë janë mbledhur për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në pritje të nisjes së seancës, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë qenë të parët që janë futur në sallën plenare, duke treguar përgatitje dhe gatishmëri për të vijuar procesin parlamentar, transmeton IndeksOnline.
Ndërkohë, partitë politike po vazhdojnë akuzat e ndërsjella për bllokimin e formimit të institucioneve të reja, pasi ende nuk ka kaluar raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj.
PDK, LDK dhe AAK po insistojnë që të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës, të cilët janë zgjedhur edhe deputetë, të japin dorëheqje formale nga postet ekzekutive për t’u betuar dhe për të filluar zyrtarisht mandatin si deputetë.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar këtë kërkesë si të pakuptimtë, duke theksuar se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi dhe, sipas tij, nuk ka nevojë për dorëheqje të re.
Pavarësisht përpjekjeve, seanca konstituive vazhdon të mbetet e papërfunduar, ndërsa tensionet politike për verifikimin e mandateve dhe formimin e institucioneve po thellohen./IndeksOnline/