Prokuroria kërkon paraburgim për tre të arrestuarit për krime lufte

Tre persona janë arrestuar dje për krime lufte kundër popullatës civile.
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
“Ju informoj se prokurori i çështjes për të cilën keni pyetur, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka paraqitur në gjykatë kërkesën për caktim të paraburgimit”.
Dje Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar tre persona që dyshohet se në cilësi të gardianëve-zyrtarëve korrektues në burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese të Lipjanit kanë maltretuar, rrahur, torturuar të ndaluarit shqiptarë.
“Fillimisht në Lipjan në dy lokacione të ndara, janë lokalizuar dhe arrestuar i dyshuari B.T. mashkull dhe e dyshuara N.Č. (femër). Në vazhdimësi të aktiviteti operativ në Prishtinë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari i tretë M.I. mashkull. Ata dyshohen për veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit, në cilësi të gardianëve-zyrtarëve korrektues në Burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese në Lipjanit kanë marrë pjesë në maltretimin, rrahjen, torturimin fizik dhe psikik te të ndaluarve shqiptarë”.