“Burri jem e ka pas rreshter, ka punuar me to 10 vjet”… rrëfimi i familjarëve në rastin e vrasjes së Likës!

Shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, dolën sot para drejtësisë në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Ndër ta, si i dyshuar për organizimin dhe planifikimin e kësaj vrasjeje tinzare, është edhe i ish- ushtari i FSK-së, Rilind Murati. Dyshohet se për kryerjen e këtij akti, Rilindi ka përdorur armën zyrtare të babait të tij, i cili është pjesëtarë i Policisë së Kosovës.
IndeksOnline, gjatë të martës, ka vizituar familjen e Rilindit në Kaçanik. Familjarët kanë refuzuar të flasin para kamerës, megjithatë prapa saj kanë ndarë disa informacione lidhur me rastin. “Burri jem e ka pas rreshter, ka punu me to 10 vjet. Na u ka dhimtë shumë, beso që shumë na u ka dhimtë”, është shprehur nëna e Rilindit gjatë bisedës.
Më tej, ajo ka theksuar se nuk kanë pasur as më të voglin dyshim tek djali i tyre, pasi ai çdo ditë shkonte në punë dhe në xhami.
“Nuk kemi dyshu hiç, absolutisht kurgjo. Si çdo ditë, djali ka shku në punë në lokal, në xhami u fal. Kurgjo tjetër, hiç kurgjo ma tepër nuk dina,” ka thënë ajo, dukshëm e shqetësuar nga kjo ngjarje.
Ndryshe, Murati kishte shërbyer për një vit në Ushtrinë e Kosovës dhe ishte demobilizuar me kërkesë të tij, në mënyrë vullnetare. Sipas dosjes, më 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, përkatësisht në katin II, të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta, rreshterin Muhamet Lika. Lidhur me rastin hetimet po vazhdojnë./IndeksOnline/