75 Mall Live Search
19:35 / E Martë, 22 Prill 2025 / L A

Klubet kosovare shpërblehen nga UEFA për lirimin e lojtarëve

Ballkani ka përfituar 76 mijë e 839 euro nga UEFA si kompensim për lirimin e lojtarëve gjatë ciklit 2020–2024 të garave të ekipeve kombëtare.

Kjo shumë vjen si pjesë e Programit të Përfitimeve për Klubet, i cili ka shpërblyer klubet që ka dhënë kontribut me lojtarë në ndeshjet e Ligës së Kombeve, kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe finalet e Euro 2024.

Përveç Ballkanit, dy klube të tjera kosovare janë përfshirë në listën e përfituesve: Llapi ka përfituar 32 mijë e 931 euro, ndërsa Dukagjini ka marrë 10 mijë e 977 euro.


Nga Shqipëria, Tirana ka rezultuar përfituese me një shumë më të lartë – 84 mijë e 157 euro, ndërkohë që Egnatia ka përfituar 36 mijë e 590 euro dhe Partizani ka marrë 29 mijë e 272 euro.

Pjesë e përfitimeve kanë qenë edhe klubet shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Shkëndija ka përfituar 65 mijë e 862 euro, ndërsa Shkupi ka marrë 7 mijë e 318 euro.


Në total, UEFA ka shpërndarë një shumë rekord prej 233 milionë eurosh për 901 klube në të gjitha 55 federatat anëtare. Kjo iniciativë e përbashkët me Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) synon të shpërblejë klubet për kontributin e tyre në suksesin e futbollit përfaqësues.