Planifikim me parashikim: Përparim Rama kontraton kompaninë për pastrim rrugësh nga bora, që tani (Dokument)

Ndërsa qytetarët mezi po presin pushimet verore, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mendjen te… bora!
Ai është treguar proaktiv dhe ka nënshkruar një kontratë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, shumë kohë përpara se temperaturat të bien, transmeton IndeksOnline.

Komuna e Prishtinës ka lidhur marrëveshje me një grup operatorësh ekonomikë që do të kujdesen për rrugët, trotuaret dhe kanalizimet atmosferike gjatë muajve të ftohtë.

Bëhet fjalë për kontratën: “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve, debllokimi i kanalizimit atmosferik”, e cila përfshin heqjen e borës, pastrimin e mbeturinave dhe larjen sipas kushteve të motit.
Për këtë projekt janë ndarë fillimisht 194,000 euro, ndërsa kontrata e nënshkruar ka vlerën 119,146.83 euro, me një afat kohor prej 24 muajsh.

Sipas të dhënave nga E-prokurimi, oferta më e lartë për këtë tender ishte 172,686.37 euro. Kjo tregon se komuna ka arritur të kursejë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, ndërsa synon që këtë dimër rrugët e kryeqytetit të jenë më të sigurta dhe më të kalueshme.
Me këtë lëvizje, Rama duket se po planifikon me kohë – që këtë herë, dimri të mos e zërë Prishtinën të papërgatitur./IndeksOnline/