Në prag të 25-vjetorit të AAK-së, Aleanca e Gruas nis mobilizimin për zgjedhjet lokale

Nën drejtimin e kryetares së Aleancës së Gruas së Aleancës (AGK), Diellza Kukaj, u mbajt një takim gjithëpërfshirës me strukturat e grave nga të gjitha komunat e Kosovës, me fokus organizimin, mobilizimin dhe fuqizimin e mëtejmë të grave në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Në këtë takim, u theksua se fuqizimi i gruas është dhe do të mbetet një ndër prioritetet kryesore të Aleancës, duke e konsideruar atë si një shtyllë të palëkundur të zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Në fjalën e saj para të pranishmeve, kryetarja Kukaj nënvizoi “Në prag të 25-vjetorit të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ne nderojmë një rrugëtim të lavdishëm që buron nga vizioni dhe lidershipi i kryetarit Ramush Haradinaj, duke mbajtur të gjallë frymën e lirisë, të zhvillimit dhe përparimit. Roli i gruas ka qenë gjithmonë vendimtar në këtë histori dhe do të mbetet po aq i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të ardhshëm.”
Kukaj potencoi se AAK-ja është e përkushtuar të krijojë hapësira më të mëdha për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, duke mbështetur gratë në çdo nivel, nga strukturat lokale deri te ato qendrore.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrëset sollën ide konkrete për forcimin e rrjetit të grave, për rritjen e ndikimit politik dhe për intensifikimin e aktiviteteve në të gjitha komunat, në funksion të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.
Kryetarja Kukaj falënderoi të gjitha gratë për përkushtimin dhe vendosmërinë, duke theksuar:
“Me përgjegjësi të lartë dhe me përkrahjen e palëkundur të Kryetarit Haradinaj, së bashku do të ndërtojmë rrugën drejt fitoreve të reja. Zëri i grave do të jetë më i fuqishëm se kurrë më parë – për Aleancën, për Kosovën, për të ardhmen tonë!”./Indeksonline/