75 Mall Live Search
16:51 / E Hënë, 28 Prill 2025 / FR

Abdixhiku reagon pas tentimeve për ndaljen e punimeve në “Xhorxh Bush”: Bllokues në shtet e në punë, Prishtina nuk ndalet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj ndërhyrjeve institucionale që, sipas tij, po bllokojnë punët në projektet zhvillimore të Kryeqytetit. Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka akuzuar një komision në një ministri për pengimin e punëve publike me arsyetime të pabazuara mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiakë e idhnakë, vendos të bllokojë një Kryeqytet të tërë. Trashëgimi kjo asfallt gërmadhë?”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se punimet në Prishtinë nuk do të ndalen.

Ai ka përmendur disa raste të tjera ku, sipas tij, projektet janë bllokuar padrejtësisht, përfshirë Sheshin “George Bush”, mbikalimin në Dragodan, nënkalimin te Kuvendi, Rrugën A, Unazën e Jashtme dhe Planin Zhvillimor Komunal, duke akuzuar qeverinë për bllokim sistematik të zhvillimit të qytetit.

“Duhet të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, tha se Prishtina do të vazhdojë me punët dhe do të fitojë – jo vetëm tani, por edhe në zgjedhjet e ardhshme vjeshtore./IndeksOnline/