Unifikimi i çmimit të barnave, Haxhijaha: Ministri të distancohet nga interesat grupore, të revokojë vendimin

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve të barnave, i cili ka hyrë në fuqi, më 1 shkurt, ka shkaktuar reagime të ndryshme nga farmacistët, distributorët e barnave dhe të tjerë të prekur nga ky vendim. Ata ankohen për mungesë të disa barnave, kontradikta ligjore dhe probleme në zbatimin e vendimit.
Edhe pas tre muajve të hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Oda e Farmacistëve të Kosovës i bën thirrje ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia që ta revokojë vendimin në fjalë.
Nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK) Astrit Haxhijaha tha për Indeksonlinen se ministri Vitia duhet të distancohet nga interesat grupore dhe ta revokojë përkohësisht vendimin.
“Institucioni ynë i bën thirrje publike ministrit të Shëndetësisë, që të distancohet nga intersat grupore dhe të veprojë për të mirën e përgjithshme. Dhe mbi të gjitha për mbrojtjen e shendetit të qytetarëve. Kërkojmë që vendimi në fjalë të revokohet përkohësisht, në mënyrë që të bëhet një rishqyrtim i hollësishëm i të gjitha pengesave, që kanë ndodhur deri tani”, tha Haxhijaha.
Haxhijaha tha se që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ka mungesë të madhe të barnave.
“Formati i vendimit e ka krijuar këtë situatë. Sepse nuk ka pasur nevojë të vije deri te mungesa e barnave. Sepse s’ka shtet që se ka të rregulluar çmimin e barnave. Mirëpo ky format i cili është bërë për grupe të caktuara të interesit, e ka sjellë dhe mungesë të barnave. Ne si institucion vazhdimisht kemi ankesa dhe nga spitalet dhe prej barnatorëve se s’kanë barna ”, tha ai.
Oda e Farmacistëve sipas tij kërkon që të ndryshohet paragrafi 6 i vendimit dhe t’u jepet kohë barnatorëve deri ta zbrazin stokun, pasi që ata nuk mund t’i shesin barnat më lirë se sa që i kanë blerë. Ndërsa thotë se kjo është dhe shkelje ligjore.
Haxhijaha thotë se kanë kërkuar interpretim ligjor dhe nga ATK dhe iu është thënë se çdo produkt i cili merret, nuk mund të shitet poshtë kostos së çmimit të marrjes.
“Ne nga MSH-ja po kërkojmë që të ndryshohen paragrafet e vendimeve. Paragrafi 6 i obligon barnatoret që t’i vendosin çmimet në të gjithë stokun, në produktet farmaceutike, që i kanë aktuale, që i kanë në gjendje të stokut. Kjo duhet të eliminohet, sepse nuk mund ta marresh një produkt me çmim tre euro dhe pastaj ta shesësh 5 a 6 euro. Duhet një periudhë kohore për ta shkarkuar stokun e vjetër dhe të vjen të stoku i ri. Të respektohen ligji, sepse vendimi është në kundërshtim me ligjin. Kur të shkarkohet komplet stoku për një periudhë 3 apo 6 muaj të vazhdojmë me filtrin e ri”, thotë ai.
Ndërsa thotë se me marrjen e një vendimi të tillë, nuk janë respektuar të gjitha filtrat e shteteve referente dhe se kjo u ka mundësuar komëanive të caktuara të përfitojnë.
“Është dhe mos respektimi i procedurës standrade të operimit. Nuk janë respektuar filtrat e shteteve referente. Por është repsektuar vetëm një filter i dytë, i cili ua ka mundësuar kompanive të caktuara të përfitojnë. Ky është problemi nga ministri i shendetësisë. S’ka pasur nevojë të bëhet një gjë e tillë. Për momentin punojnë vetëm kompanitë e caktuara, jo të gjitha kompanitë dhe ka mungesë të barnave që ndikon në mënyr direkte në barnatore në shëndetin e pacientit, që po obligohen që barnat t’i sigurojnë jashtë shtetit. E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e një vendimi, i cili ka filluar së zbatuari tetë ditë para zgjedhjeve”, tha ai.
Megjithë ankesat e shumta për një vendim të tillë, Haxhijaha thotë se nuk kanë arritur fare të takohen me ministrin Vitia.
“Ministri i Shëndetësësë nuk na ka kthyer asnjë e-mail, le më për të na takuar. Ka vepruar në mënyrë të njëanshme”, tha ai./Indeskonline/