KQZ-ja ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar rekomandimin e zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike, ndërsa ndarja e mjeteve për Listën Serbe u kundërshtua nga VV-ja.
Ushtruesi i detyrës i drejtorit të sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, njoftoi se ndarja e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025 është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh. Këto fonde ndahen për 15 subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, është paraparë ndarja e mjeteve shtesë për mbështetjen e punës së deputetëve, në vlerë prej 106,898.31 eurosh, bazuar në rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, shprehu kundërshtimin e tij për ndarjen e fondeve për Listën Serbe.
“Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast”, tha Kurteshi.