U tha se kërcënoi gjyqtaren me kallashnikov, reagon ish-polici Muzliaj

Pas raportimeve në media, të cilat u bazuan në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, ku thuhej se më 30 prill 2025, në cilësinë e palës, kishte kërcënuar një gjyqtare gjatë një seance me armë të tipit kallashnikov, ka reaguar ish-polici Xhevdet Muzliaj, duke dhënë versionin e tij të ngjarjes.
Në reagimin e tij, Muzliaj mohon kategorikisht se ka qenë pjesë e ndonjë seance gjyqësore apo se ka kërcënuar ndonjë gjyqtare.
“Dje, me dt. 30.04.2025 rreth orës 12:30, derisa isha duke e pastruar oborrin e shtëpisë time me evladin tim 5-vjeçar, në mexh kanë ardh 2 xhipa, njëri i zi dhe tjetri ngjyrë hiri. Saktësisht 3 persona. Në mesin e tyre i kam njohur 2 persona, të cilët ishin Haki Zeqiraj dhe Y.B, i njohur si Dila. U afruan te mexha duke qeshur me cinizëm dhe shkuan te zyra ku janë duke e bërë një ndërtim të lartë, afër pronës time. Rreth orës 13 dolën nga zyra dhe u afruan te mexha, ku Haki Zeqiraj më tha ‘puno edhe pak se shpejt kena me ta marr edhe qeta’, ka vleresuar ai, transmeton IndeksOnline.
” I thash jam me evlad, s’po du probleme, jam në oborrin tim. Largohuni, mos gabo me shkel në oborr temin se mo nuk po muj ju baj’. Y më tha ‘shko në p…të samës ti me gjithë pronën tande’. Aty erdhi një femër me flokë të kuqe, të cilën nuk e njoh, por më duket që punon në striptiz bar në Vrellë.Erdhen edhe punëtorët e ndërtimit të Y.B dhe unë u largova nga oborri që të shkoj ta lajmëroj policinë.”, tha tutje ai.
Muzliaj insiston se nuk ka qenë pjesë e ndonjë procesi gjyqësor, dhe se nuk ka pasur prani të ndonjë gjyqtare në vendin e ngjarjes.
“Unë nuk jam palë, as oborri jem nuk është objekt kontesti, e as s’ka mujt me pas seancë aty, e as gjyqtare. Gjyqtaren e vëllaut tem nuk e njoh, se kam pa kurrë e as s’më ka pa, përveç që në bazë të fjalëve e di që Y.B – pala kundërshtare e vëllait tim, ia ka jep një banesë, të cilën e ka qit në pronësi të çikës së mixhës vet, me të cilën kishin qenë në bashkësi familjare deri vonë.”, shtoi ai.
Ai më tej thotë se është ndaluar nga policia dhe i është dorëzuar një ftesë për paraqitje në stacion:
“Unë u nisa për me lajmëru rastin në Pejë, dhe gjatë rrugës shoqja më njoftoi se 3 policë janë para dere dhe më thanë mos lëvizni nga këtu. E pava që është vonë, se Y.B dhe Haki Zeqiraj veç kishin ndiku në strukturën komanduese në Istog. Familja ime është mbajt peng 2 orë derisa kanë ardhur edhe mbi 12 policë të tjerë për bastisje, duke e kërkuar një kallash. Rreth orës 18:20 kanë ardhur 6 policë në shtëpinë time dhe më dorëzuan një ftesë që të paraqitem në Stacionin Policor në Istog në ora 09:00, të cilën ftesë ia bashkangjes këtij demanti. Pra, nuk jam në arrati.”, tha ai.
Sipas tij, objekti i dyshuar si armë ishte një lodër e djalit të tij:
“Nëse nuk ish kon lodra e djalit – kallash, e blerë 85 euro, ata më kishin hy në shtëpi se kanë qenë të armatosur. Haki Zeqiraj as nuk ka pronë aty, as unë e familja ime nuk kemi kontest me të, e as me Tafë Zeqirajn, por Hakia aty ka ardh si truprojë e Y.B, me më kërcënu, pasi që i njëjti ndihet i fuqishëm duke përdorur shoqërinë e tij me Ilir Feratin – kryetarin e Komunës – përmes të cilit i përmbush objektivat e veta në këmbim të përfitimit.”
Në fund, Muzliaj shpreh shqetësimin e tij lidhur me përfshirjen e një gjyqtareje në këtë çështje dhe kërkon mbrojtje institucionale.
“Gjyqtaren as nuk e njoh, as nuk ka qenë në oborrin tim e as afër mexhës time, as nuk e kam pa e as nuk më ka pa. E nëse Haki Zeqiraj me Y.B kanë deklaru duke e përfshirë një gjyqtare, e e njëjta nuk e demanton, atëherë familja ime është nën kërcënim nga vet institucionet me qëllim që të na marrin krejt çka kemi. E njoftoj gjyqtaren Lirika Sylaj, të cilën nuk e njoh, komandantin e policisë në Istog Enver Gashi, të cilin e njoh shumë mirë se e kam pas ish-koleg, e edhe Haki Zeqirajn me Y.B se përtej oborrit tim nuk kam ka të shkoj.
Kërkoj mbrojtje nga institucionet!”