Suspendohen dy zyrtarë policor në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë janë suspenduar nga detyra për 72 orë.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në orët e hershme të datës 3 maj 2025, për shkak të dyshimeve për përfshirje të tyre në shkelje disiplinore.
“Me vendim të Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Jugut, dy zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra për shtatëdhjetë e dy (72) orë. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë, varësisht nga cilësimi i shkeljeve disiplinore nga Drejtoria e Hetimeve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Dyshohet se pezullimi lidhet me një incident që ka ndodhur në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, ku një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje ka arritur të vjedhë armën zyrtare të një polici gjatë intervistimit.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, i dyshuari është arrestuar në rrugën “Filip Vishnjica” në Mitrovicën e Veriut më 2 maj 2025, rreth orës 20:00. Gjatë kontrollit, atij i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 15 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./IndeksOnline/