Arrestohet një burrë në Prishtinë, inskenoi rrëmbimin e tij duke i kërkuar para familjes

Një rast i denoncuar si rrëmbim në kryeqytet ka rezultuar të jetë një inskenim i mirëpërgatitur nga vetë “viktima”.
Këtë për IndeksOnline e ka bërë të ditur zëdhëndës polici për rajonin e Prishtinë, Agron Borovci, ku njoftoi se Policia e Kosovës, rreth orës 00:45, ka pranuar një denoncim nga familjarët e një personi që dyshohej të ishte rrëmbyer më 30 prill 2025.
Borovci, bëri të ditue se sipas denoncimit, persona të panjohur kishin dërguar mesazhe kërcënuese duke kërkuar një shumë të caktuar parash në këmbim të mirëqenies së viktimës. Familja nuk kishte pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me të afërmin që nga ajo datë.
“Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit, nisi veprimet intensive hetimore. Rreth orës 13:00, u arrit të lokalizohej vendndodhja e personit të raportuar si i rrëmbyer. Ai u gjet i vetëm, brenda një veture në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.
Pas intervistimit në stacionin policor dhe verifikimeve të mëtejshme, autoritetet konstatuan se nuk bëhej fjalë për rrëmbim të mirëfilltë. Në fakt, 45-vjeçari kishte dërguar vetë mesazhet kërcënuese, me qëllim përfitimi financiar nga familja e tij.
Policia ka njoftuar se ndaj personit është iniciuar procedurë për mashtrim dhe shqetësim të institucioneve ligjzbatuese dhe familjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në vazhdim”, ka thënë Borovci.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për qytetarët që të shmangin veprime të tilla mashtruese, të cilat jo vetëm që keqpërdorin burimet institucionale, por edhe shkaktojnë panik të panevojshëm në opinionin publik./IndeksOnline/