75 Mall Live Search
10:46 / E Hënë, 05 Maj 2025 / k.v

Arrestohet i dyshuari për dy raste të vjedhjeve të rënda në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në dy raste të “vjedhjeve të rënda”, të raportuara më 2 dhe 3 maj 2025 në Mitrovicë.

Rasti i parë është raportuar më 2 maj, rreth orës 23:30, kur një qytetar njoftoi se ishte dëmtuar dera e lokalit të tij në rrugën “Kral Petri”, prej nga i ishin vjedhur rreth 550 euro dhe një shumë e papërcaktuar dinarësh.

Rasti i dytë ndodhi më 3 maj, rreth orës 06:00, në rrugën “Car Lazar”, ku një tjetër qytetar raportoi për thyerje të derës së lokalit të tij dhe vjedhje të një telefoni celular dhe parave në vlerë prej 60 eurosh (euro dhe dinarë).

Pas hetimeve intensive nga njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, është identifikuar dhe lokalizuar i dyshuari M.M., 31 vjeç. Ai është arrestuar më 4 maj në vendin e tij të punës, në fshatin Zabergj të Mitrovicës Jug.

Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari e ka pranuar kryerjen e të dy vjedhjeve. Me urdhër të prokurorit kompetent, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve pronësore dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët./IndeksOnline/