75 Mall Live Search
11:46 / E Hënë, 05 Maj 2025 / k.v

Abdixhiku dhe Haradinaj zhvillojnë biseda të vazhdueshme në Kuvend

Në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, janë parë duke biseduar në sallën e Kuvendit, transmeton IndeksOnline.

Pamjet e siguruara tregojnë dy liderët opozitarë teksa zhvillojnë një bisedë para fillimit të seancës, në një atmosferë që duket e qetë dhe bashkëpunuese. Kjo nuk është hera e parë që Abdixhiku dhe Haradinaj shkëmbejnë biseda gjatë zhvillimeve në Kuvend, duke lënë të kuptohet për një komunikim të vazhdueshëm mes tyre.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dërguar një ftesë zyrtare për marrëveshje politike drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Në letrën e tij, Kurti shpreh gatishmërinë për një koalicion me LDK-në, duke theksuar se nuk është i interesuar për një bashkëpunim me PDK-në.

Zhvillimet politike po intensifikohen në prag të formimit të institucioneve të reja, me qasjet dhe komunikimet mes liderëve që po tërheqin vëmendjen e opinionit publik./IndeksOnline/