75 Mall Live Search
20:03 / E Martë, 06 Maj 2025 / MSH

Avokati i Popullit planifikon vizitë në Dhomat e Specializuara në Hagë, kërkon standarde të gjykimit të drejtë

Pavarësisht mandatit të kufizuar ndaj Dhomave të Specializuara, Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve në proceset që po zhvillohen në Hagë, shkruan IndeksOnline.

Zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, në një prononcim për IndeksOnline bëri të ditur se kufizimet burojnë nga korniza ligjore dhe ndryshimet kushtetuese që i kanë hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate me seli në Hagë.

“Avokati i Popullit ka kufizim të mandatit në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe nga ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila i ka hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate,” ka deklaruar Çollaku.

Para disa ditësh, avokatja e Jakup Krasniqit paralajmëroi se refuzimi i lirimit të përkohshëm mund të çojë në dënim të padrejtë dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Në lidhje me këtë Çollaku, tha se ky institucion nuk komenton qëndrimet e palëve gjatë gjykimeve, por ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë.

“Avokati i Popullit nuk komenton opinione apo qëndrime të palëve gjatë procedurave gjyqësore. Megjithatë, ka shprehur qëndrimet e tij referuar kohëzgjatjes së procesit, barazisë së armëve, kohëzgjatjes së paraburgimit dhe të drejtave të tjera që i kanë të akuzuarit në procedurat penale,” ka thënë Çollaku për IndeksOnline.

Çollaku ka bërë të ditur se Avokati i Popullit, Naim Qelaj, kishte planifikuar që gjatë këtij viti të realizojë një vizitë në Dhomat e Specializuara dhe të monitorojë disa seanca, por që vizita është shtyrë për një periudhë të mëvonshme.

“Avokati i Popullit kishte planifikuar që gjatë këtij viti të realizojë një vizitë në këtë gjykatë, t’i vizitojë të paraburgosurit, të monitorojë drejtpërdrejtë disa seanca për aq sa e lejon koha, dhe të takojë në këtë vizitë edhe kryetaren e Gjykatës për të shprehur opinionet e tij lidhur me çështjet që konsideron se mund të cenojnë standardet e një gjykimi të drejtë.   Kjo vizitë është shtyrë për një periudhë të mëvonshme“, ka shtuar ai.

Sipas Çollakut, arsyeja e shtyrjes lidhet me nevojën për sqarime shtesë rreth cilësisë në të cilën do të realizohet kjo vizitë dhe kufizimeve që rrjedhin nga mandati aktual i Avokatit të Popullit.

Ndërkohë që proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdojnë në Hagë, mbetet thelbësore që çdo procedurë të zhvillohet në përputhje me parimet themelore të drejtësisë. Institucioni i Avokatit të Popullit, edhe pse me mandat të kufizuar, nënvizon rëndësinë e respektimit të të drejtave të të akuzuarve dhe mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare./IndeksOnline/