Bajrami: Dorëzuam 17 kallëzime penale, këta janë në kundërshtim me Ligjin për qeverinë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami është deklaruar pas deponimit të kallëzimit penal në Prokurori Speciale, për ish-qeverinë “Kurti 2”, në krye me Albin Kurtin.
Përpara mediave, Bajrami tha se LDK-ja konsideron që veprimet e ndërmarra nga data e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nga ana e ish-qeverisë, janë në kundërshtim me ligjin.
“Siç kemi paralajmëruar ditë më parë, kemi dorëzuar 17 kallëzime penale për ish-kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrat e kabinetit të tij, përfshirë këtu edhe një ish-zëvendësministre – të gjithë këta të zgjedhur deputetë dhe të verifikuar sipas rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja. Ne konsiderojmë dhe besojmë që nga data 27 mars, këta janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për qeverinë, ligj ky i hartuar dhe miratuar nga votat e deputetëve të LVV-së në mandatin e kaluar.
Duke qënë se prej datës së certifikimit, edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e Ministrive, duke shfrytëzuar resurset, duke marrë vendime që kanë pasoja financiare dhe të tjera, dhe duke shfrytëzuar resurset e institucioneve të Republikës së Kosovës, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale, e sanksionuar në nenin 414 të Kodit të procedurës penale”, u shpreh Bajrami.
Bajrami thotë se pjesëtarët e qeverisë në detyrë thonë se kanë dhënë dorëheqje por që kanë vijuar të qëndrojnë në institucione dhe zyra, duke shfrytëzuar të gjitha resurset.
E pyetur se a do t’i përgjigjej LDK-ja një ftese nga presidentja Vjosa Osmani, Bajrami thotë: “Ne e kemi vendosur këtë propozim në tavolinë. Natyrisht që jemi të hapur të jemi prezent në takime të tilla, për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional në të cilin jemi”.