75 Mall Live Search
20:17 / E Enjte, 08 Maj 2025 / Z S

Reagon Gjykata Komerciale, mbron gjyqtarin, por nuk jep asnjë shpjegim për vendimin skandaloz

Gjykata Komerciale ka reaguar ndaj hulumtimit të Paparacit që ka zbuluar një skandal të madh që përfshinë këtë Gjykatë në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike.

Në këtë reagim, Komercialja është marrë më shumë me mediat dhe punën e tyre, ndërkaq nuk ka sqaruar për vendimin skandaloz që ka marrë në rastin që është pjesë e hulumtimit nga Paparaci.

Hulumtimi i Paparacit ka të bëjë me vendimet e Gjykatës që janë marrë në procesin gjyqësor konstestimor mes dy bizneseve të ndërtimit në Prishtinë: “Alba Group” dhe “Kawa Group”.

Mirëpo në reagim ndaj këtij hulumtimi, Gjykata Komerciale është marrë me lirinë e shprehjes dhe mediave. Ka akuzuar mediat që nuk mund të komentojnë proceset gjyqësore, i ka dalë në mbrojtje gjykatësit Alajdin Tërshnjaku, por ajo vetë nuk ka komentuar dhe nuk ka sqaruar vendimin skandaloz që është pjesë e hulumtimit të Paparacit.

“Liria e shprehjes dhe e shtypit është një e drejtë themelore, por ajo nuk mund të ushtrohet në mënyrë që komprometon integritetin institucional dhe autoritetin e gjykatave. Çdo pakënaqësi lidhur me një vendim gjyqësor duhet të adresohet përmes mjeteve të përcaktuara ligjore, përfshirë ankesën dhe rrugët e tjera procedurale, dhe jo në mënyrë që nxitë mosbesim, paragjykim apo presion publik mbi gjyqtarët”, thuhej në reagimin e Komerciales.

Gjykata inkurajon transparencën dhe mbikëqyrjen mediatike të drejtësisë, por kërkon që raportimi dhe komentimi të bëhen me përgjegjësi, saktësi dhe në përputhje me etikën profesionale”, thuhej më tej në reagim.

Kjo gjykatë ka pretenduar se hulumtimi përmban akuza serioze dhe të pabazuara ndaj gjyqtarit të ngarkuar me lëndën.

“Shkrimi në fjalë përmban akuza serioze dhe të pabazuara ndaj gjyqtarit të ngarkuar me lëndë, pa prezantuar asnjë fakt konkret që do të mbështeste pretendimet për “grupe interesi” apo për “rrezikim të sigurisë juridike”. Përdorimi i termave të tillë nxitës dhe përgjithësues, në mungesë të fakteve të verifikuara, dëmton seriozisht besimin e qytetarëve dhe investitorëve në drejtësinë vendore dhe është në kundërshtim të plotë me standardet themelore të raportimit profesional dhe të drejtësisë”, thuhej në reagimin e Komerciales.

Në rastin konkret, sipas Gjykatës Komerciale, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i plotfuqishëm dhe nuk krijon asnjë pasojë juridike përderisa nuk vërtetohet nga shkalla e dytë e gjykatës.

“Prandaj komentimi dhe kontestimi i vendimit gjyqësor dhe atakimi i gjyqtarit, përderisa procedura gjyqësore është në zhvillim e sipër dhe nuk ka përfunduar sipas mjetit juridik të parashtruar nga pala, janë në kundërshtim me Nenin 107 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me dispozitat ligjore dhe Instrumentet Ndërkombëtarë që garantojnë pavarësinë e gjyqtarëve nga çdo ndërhyrje nga jashtë.

Redaksia e Paparacit vlerëson se baza e arritjes te dija është dyshimi. Duke dyshuar shtrohen pyetje. Me pyetje nxjerrën përgjigjet, rrjedhimisht faktet, të cilat mundësojnë formimin e opinionit kritik. Kështu funksionon edhe gazetaria. Në gazetari futen në sprovë faktet. Nëse faktet ngjallin dyshime, është mision i gazetarit të shtrojë hipoteza dhe të ngrisë pyetje.

Kjo bëhet për secilën ngjarje dhe ndodhi në interes të opinionit publik. Kështu është bërë edhe në rastin në fjalë, për aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale . Teksti ka ngritur hipoteza dhe ka shtruar pyetje bazuar në faktet që janë marrë në konsideratë për nxjerrjen e një aktgjykimi në një rast kontestimor. Ju, në përgjigjen tuaj lidhur me pyetjet tona për rastin, nuk keni ofruar asnjë fakt të vetëm. Ajo që ju thoni është “pse po nxisni dyshime në mes të lojës, kur loja ende nuk ka përfunduar”.

Komercialja hulumtimin e Paparacit e ka cilësuar ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe koment publik nga mediat.

Sipas reagimit të Komerciales, publikimi i artikullit në fjalë është bërë me qëllim të denigrimit dhe presionit publik ndaj gjyqtarit Tërshnjaku, mirëpo kjo Gjykatë nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me vendimin skandaloz të gjyqtarit.

“Ndërhyrjet apo komentet publike nga mediat, të cilat synojnë të kontestojnë vendimet gjyqësore përmes presionit apo diskreditimit, paraqesin cenim të pavarësisë së gjyqësorit”, thuhej më tej.

“Theksojmë se çdo vendim gjyqësor bazohet në parimet themelore të ligjit, në analizën objektive të fakteve dhe provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, si dhe në zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të normave juridike. Pavarësia e gjyqësorit është e garantuar me Kushtetutë dhe është themel i funksionimit të shtetit të së drejtës. Çdo përpjekje për të ushtruar presion publik apo për të denigruar figurën e gjyqtarëve dhe vendimet e tyre përbën jo vetëm një sulm ndaj një institucioni kushtetues, por edhe një rrezik serioz për demokracinë dhe rendin juridik”, thuhej në reagimin e Komerciales.

Edhe pse gjykata në reagimin e saj është thirrur në transparencë e liri të shprehjes, e njëjta ka “goditur” hulumtimin e Paparacit duke paragjykuar se i njëjti përmban elemente të shpifjes e etiketimeve të nxituara.

“Gjykata nuk është dhe nuk mund të jetë palë në debatin emocional të shoqërisë. Ajo vendos mbi bazën e ligjit dhe në interes të drejtësisë, jo për të përmbushur pritshmëritë e palëve të caktuara. Analiza e vendimeve gjyqësore është e mirëpritur kur bëhet me argumente ligjore dhe brenda etikës profesionale. Megjithatë, shpifjet, etiketimet dhe gjykimet e nxituara mediatike përbëjnë një cenim të pranueshëm të shtetit ligjor”, thuhej në reagim.

“Gjykata fton të gjitha palët, përfshirë median, opinionistët dhe publikun, që të respektojnë procesin gjyqësor dhe të kontribuojnë në informimin e drejtë dhe të balancuar të opinionit publik. Transparenca dhe llogaridhënia janë pjesë përbërëse e drejtësisë, por ato nuk mund të përdoren si pretekst për sulme që minojnë besimin qytetar në institucionet gjyqësore”, thuhej veç të tjerash në reagimin e Komerciales.

Medias nuk i intereson a ka përfunduar ose jo procesi. Ne iu kemi referuar një aktgjykimi të dhënë në një lëndë të caktuar në Gjykatën Komerciale. Nga ajo që kemi parë, ne kemi evidentuar shkelje të shumta dhe për to kemi raportuar. Për të njëjtat, kemi kërkuar ta dëgjojmë edhe shpjegimin tuaj.

Ju atë shpjegim nuk na e keni dhënë më herët dhe nuk na e jepni as në përgjigjen e dërguar të enjten në adresën e Paparacit. Ju, në “përgjigjen“ tuaj po na thoni „loja nuk ka përfunduar“, pasi që ka edhe një shkallë tjetër gjyqësore, në të cilën pala e pakënaqur mund të shtrojë ankesë.

Neve, si media, fare nuk na intereson a ka palë të pakënaqur a jo, a do të ushtrohet ankesë a jo. Ne nuk jemi palë në kontekst. Ne jemi vëzhgues. Dhe si vëzhgues kemi vërejtur dhe konstatuar se bazuar në ato që kemi parë nga shkresat, aktgjykimi është skandaloz, dhe lajm i keq për gjyqësinë kosovare.

Për këtë arsye, ju si njerëz të ligjit, e dini se gëzojmë të drejtën ligjore për të raportuar. Kështu që, do të ju lusim edhe një herë, na ktheni përgjigjet në pyetjet të cilat iu kemi shtruar.

Rasti është gjykuar nga gjyqtari Alajdin Tërshnjaku. Vendimi i tij është krejtësisht pezull dhe i bazuar vetëm në pretendime të një paditësi dhe krejtësisht në kundërtshim me vendime tjera të Gjykatës. Tërshnjaku e ka kthyer përmbys brenda tri vitesh gjykimi një padi për dëmshpërblim të “Alba Group” ndaj “Kawa Group”. Ka kryer shkelje të rënda. Ka shpallur aktgjykim kundër paditësit që pastaj gjatë procesit është kthyer edhe në të paditur.

Në padinë e “Alba Group” kundër “Kawa Group” për një borxh 200 mijë eurosh, Tërshnjaku e ka implikuar kundërligjshëm në rast edhe kundërpadinë e biznesit në pronësi të biznesmenit Valon Vataj. Gjyqtari e ka aprovuar kundërpadinë e “Kawa Group” për 5.3 milionë euro dëmshpërblim ndaj palës së dëmtuar, për pezullimin e një leje ndërtimore për një kompleks banesor në Veternik, vendim të cilin e kishte marrë vetë gjykata, ndonëse procesi ka nisur me një padi të “Alba Group”, kundër kompanisë tjetër për borxh./Indeksonline/