Operacioni “Banakieri”, arrestohen dy persona për shpërndarje të drogës në kryeqytet

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike.
I koduar “Banakieri”, ky operacion sipas policisë ka për qëllim luftimin e shpërndarjes së drogës në nivel rrugor.
“Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike. Arrestimet janë kryer në lagje të ndryshme të kryeqytetit pas një pune hetimore disamujore”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton Indeksonline.
Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit trupor dhe në lokacione të dyshuara janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
“Në total janë konfiskuar rreth 626 grammarihuanë, një cigare e mbushur me të njëjtën substancë, para të gatshme dhe pajisje për matje dhe paketim. Vlera e tregut e substancës së konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 3,000 euro. Njësia e Forenzikës Rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes për të dokumentuar dhe konfiskuar provat materiale”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se pas procedurave të nevojshme, të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e policisë për intervistim.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. /Indeksonline/
