Sulm me armë ndaj një personi në Prishtinë

Një incident me armë zjarri ka ndodhur të enjten rreth orës 15:00 në rrugën “Astrit Rrushi” në Prishtinë, ku një person ka shpëtuar pa lëndime pasi ndaj tij është shtënë me armë zjarri.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima, një mashkull kosovar, ka deklaruar se derisa ishte duke ecur rrugës, një person i dyshuar i së njëjtës shtetësi ka filluar të shtijë në drejtim të tij dhe më pas është larguar në një drejtim të panjohur.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, mirëpo janë shkaktuar dëme materiale në një kafiteri pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë konfiskuar tri gëzhoja të kalibrit 9mm, të cilat do të përdoren si dëshmi materiale në hetim.
“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ishte duke ecur rrugës, i dyshuari mashkull kosovar, ka filluar të shtijë me armë në drejtim të tij dhe pastaj është larguar në drejtim të panjohur. Të lënduar nuk ka, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale në një kafiteri. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur e konfiskuar 3-gëzhoja cal-9mm, si dëshmi materiale”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar motivin dhe identitetin e të dyshuarit./IndeksOnline/