Spahiu skeptik për takimin e presidentes me partitë politike: Është vetëm në duart e Kurtit që vendi të dalë nga ky ngërç politik

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se këtë të enjte do të nisë konsultimet me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ftesës së presidentes Osmani i janë përgjigjur pozitivisht partitë opozitare, ndërsa Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ende nuk ka dal me një qëndrim.
Iniciativa e presidentes Osmani është mirëpritur nga profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu.
Sipas tij, është vështirë për të parashikuar nëse takimet e partive politike me presidenten do të sjellin rezultat.
“Është një veprim i mirë, pasi kur kemi një ngërç politik çdo përpjekje për dalje nga kriza duhet të mirëpritet”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.
Megjithatë sipas tij, dalja nga ngërçi politik që është futur vendi është vetëm në duar të Albin Kurtit.
“Kurti duhet të ulë hundën dhe të bëhet me i ‘gjymertë’ nëse dëshiron të që këtë dalje nga ky ngërç”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, Kurti duhet të lëshojë pe, duke bërë një marrëveshje politike me Fatmir Limajn dhe Gani Gecin.
“Kurti i ka 57 vota deri me tani, ai duhet të propozojë Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit dhe kështu i bën 60 vota. Një votë mund ta sigurojë edhe nga vajza e Gani Gecit. Ne e kemi parë që Gani Geci ka thënë se vajza e tij do ta votonte nëse Albini shkon në shtëpinë e tij në Llaushë dhe ja kërkon votën. Mendoj që për interesa shtetërore Albini duhet të shkojë dhe kështu vendi të dal nga ky ngërç politik”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.
Tutje Spahiu vlerëson së Kurti duhet të tregohet me dorëlirë edhe me minoritetet nëse dëshiron themelimin e institucioneve.
Kujtojmë që as pas tentativës së 14-të nuk është arritur konstituimi i Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje për të disatën herë ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë opozitare. Kuvendi mblidhet sërish nesër në ora 10:00 në përpjeke të konsitutimit. /IndeksOnline/