75 Mall Live Search
10:27 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / MSH

Policia jep detaje për arrestimin e Driton Ibishit, u kap në mes të rrugës

Driton Ibishi u arrestua dje nga Euro-Fasti i Kosovës, pasi për të kishte urdhërarrestim ndërkombëtar nga Maqedonia e Veriut.

IndeksOnline raportoi ekskluzivisht dje se 52-vjeçari po kërkohej tashmë sa kohë nga policia maqedonase, nën dyshimin se kishte marrë pjesë në aktivitete kriminale të organizuara.

Ndërkohë, në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se Ibishi u kap në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, rreth orës 17:30.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, deklaroi policia.

52-vjeçari, banor i Shkupit, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar tashë një vit.

Në fletarrestin e siguruar nga IndeksOnline shkruhet si vijon:

“Kërkohet pas shpalljes së fletarrestit ndërkombëtar nga PTHP-ja për krim të organizuar dhe korrupsion me urdhër KO NR.15/24 nga 30.01.2024. Personi është nën hetim për kryerjen e veprave penale sipas nenit 215 paragrafi 3 (tregti me drogë) nga Kodi Penal i RMV-së”.