75 Mall Live Search
18:32 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / AR

Eurovision 2025/ Votat e një shteti po i shkojnë një tjetri?

Një incident i pazakontë ka ngjallur reagime të shumta në Norvegji pas transmetimit të gjysmëfinales së parë të Eurovision Song Contest 2025. Sipas mediave vendase, shumë qytetarë që kishin votuar për Kroacinë (kodi 14) mbetën të habitur kur në telefonin e tyre morën një mesazh falënderimi… për një shtet tjetër.

“Faleminderit që votuat për Izraelin! Mund të votoni deri në 20 herë…”, thuhej në mesazhin e kthimit që ata morën.

Ky gabim ka shkaktuar jo pak konfuzion, sidomos për faktin se Izraeli nuk ishte pjesë e kësaj gjysmëfinaleje – pjesëmarrja e tij është e planifikuar për natën e dytë, të enjten.

Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) reagoi më vonë për të qetësuar situatën, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një gabim teknik në përmbajtjen e mesazhit informues, dhe se votat për Kroacinë janë regjistruar siç duhet. “Gabimi ishte vetëm në mesazhin informues, ndërsa votat për Kroacinë janë regjistruar saktë dhe nuk ka pasur ndikim në rezultatet finale”, u sqarua nga organizatorët.