75 Mall Live Search
09:37 / E Enjte, 15 Maj 2025 / mp

Ky është kosovari që zgjidhet kryetar komune i një qyteti në Texas

Gino Mulliqi, me prejardhje nga Kosova, është zgjedhur kryetar i komunës në qytetin Wylie të shtetit Texas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u emërua në këtë pozitë nga anëtarët e këshillit komunal të qytetit, i cili ka rreth 60 mijë banorë dhe gjendet në pjesën verilindore të Texasit.

Pas zgjedhjes, Mulliqi ka falënderuar kolegët për besimin dhe mundësinë që t’i prijë qytetit, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për paraardhësin e tij, Tem Jeff Forrester.

“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për ish-kryetarin e komunës, Tem Jeff Forrester, për shërbimin e tij dhe udhëheqjen e qëndrueshme. Jeff ka dhënë një shembull të fortë dhe jam mirënjohës për themelet që ka hedhur”, ka shkruar Mulliqi në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se është një nder i madh për të që t’i shërbejë komunitetit të qytetit Wylie dhe premtoi se do ta kryejë detyrën me përkushtim të plotë.

“Jam i përkushtuar që këtë rol ta kryej me integritet, transparencë dhe bashkëpunim”, theksoi Mulliqi.

Zgjedhja e tij në këtë pozitë të rëndësishme përbën një tjetër histori suksesi të diasporës kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.