75 Mall Live Search
10:38 / E Enjte, 15 Maj 2025 / mp

Zyrtarë të KRU “Mitrovica” me asistencë policie, hyjnë në objektin e Ujësjellësit Rajonal në Gazivodë

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, zyrtarë të KRU “Mitrovica”, të shoqëruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ambientet e Ujësjellësit Rajonal të Gazivodës.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se po u ndihmojnë vetëm përfaqësuesve të ujësjellësit në Mitrovicën Jugore.

Objekti në fjalë, i njohur si Ujësjellësi Rajonal i Gazivodës, është ndërtuar disa vjet më parë dhe sipas raportimeve të mëhershme mediatike, investimi në të ka kapur shumën e rreth 16 milionë eurove, të financuara nga Serbia.

Lajmin për marrjen nënë kontroll të kësaj ndërmarrjeje e ka bërë të ditur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se tash e tutje, KRU “Mitrovica” do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë:

Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin-Potok, me kërkesë të Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike të Ministrisë së Ekonomisë.

Kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore. Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional.

Tash e tutje, KRU “Mitrovica” do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.

Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU “Mitrovica” për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.