75 Mall Live Search
10:30 / E Enjte, 15 Maj 2025 / L K

Abazi nga Berlini e vlerëson lart Rrjetin e Bizneseve të Diasporës

Mustafë Abazi, kryetar i Rrjetit të Bizneseve për Diasporën në Gjermani e ka vlerësuar lart institucionin që udhëheqë. Ai ka thënë se ky rrjet është një urë e fortë mes diasporës dhe atdheut.

“Rrjeti i Bizneseve – Një Urë e Fortë mes Diasporës dhe Atdheut.
Kur një vizion bëhet urë mes largësisë dhe rrënjëve
Nuk ka qenë as biznesi, as ambicia personale që na mblodhi për herë të parë – ishte dashuria për vendin tonë. Ne që jetojmë e punojmë larg Kosovës, nuk e kemi harruar kurrë se ku e kemi filluar. Prandaj para disa vitesh, së bashku me disa miq dhe bashkëudhëtarë të besimit, themeluam Rrjetin e Bizneseve të Diasporës.
Ishim të bindur se diaspora shqiptare nuk është thjesht një burim remitencash, por një forcë e gjallë, me dije, përvojë dhe energji për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Kosovës dhe të gjithë hapësirës shqiptare.
Nuk kemi qenë gjithmonë dakord në gjithçka – është normale. Sot kemi disa mosmarrëveshje, ndoshta edhe dallime në qasje. Por kjo nuk ndryshon faktin që kemi një qëllim të përbashkët: të jemi ura lidhëse, jo vetëm midis biznesit dhe vendlindjes, por edhe midis brezave të rinj dhe rrënjëve të tyre.
Rrjeti nuk është pronë e askujt – është përgjegjësi e të gjithëve. Dhe misioni jonë nuk është për ne, por për fëmijët tanë, për të rinjtë që rriten me dy gjuhë, dy kultura, por një zemër shqiptare.
Ne vazhdojm me parimet që na bashkuan: besimi, bashkëpunimi dhe përkushtimi për diçka më të madhe se vetja. Sepse bashkë mund të ndërtojmë jo vetëm ura, por rrugë të reja për një të ardhme më të ndritur për Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë” shkruan Abazi në njoftim.