Viva Fresh nënshkruan marrëveshjen prej 25 milionë euro me BERZH

Në kuadër të Takimit Vjetor dhe Forumit të Biznesit të BERZH 2025 në Londër, Viva Fresh nënshkroi marrëveshjen për financimin prej 25 milionë euro.
Ky është financimi më i madh ndonjëherë nga BERZH për një kompani kosovare.
Ky partneritet strategjik me BERZH dhe ENEF II, në kuadër të Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, shënon jo vetëm një moment krenarie për Viva Fresh, por edhe një pikë kthese për sektorin privat në Kosovë.
Ky financim pasqyron besimin e institucioneve ndërkombëtare në Viva Fresh si një kompani lidere që ka transformuar tregtinë me pakicë në vend – dhe që tani është gati të zgjerojë ndikimin e saj edhe në rajon.
Përmes blerjes së rrjetit Spar Albania, Viva Fresh po zgjerohet përtej kufijve, me synimin për ta transformuar përvojën e konsumatorit në tregun shqiptar – me standarde moderne, qasje të lehtë dhe fokus në qëndrueshmëri.
Nga një rrugëtim i filluar në Kosovë – në një histori suksesi për gjithë rajonin. Sot, më të motivuar se kurrë, po ndërtojmë një të ardhme më të fortë për komunitetet që i shërbejmë – me rrënjë të thella në Kosovë dhe vizion përtej kufijve./Indeksonline/