AAC bëhet me drejtor të ri, dyshohet se emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës vazhdon të merr vendime kontradiktore në institucionin e saj. Një javë më parë, ministri Aliu ka emëruar Matej Krasniqin si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së për një periudhë 6-mujore.
Krasniqi që me profesion është inspektor i vlefshmërisë ajrore dyshohet se është emëruar në kundërshtim të hapur me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Matej Krasniqi është ngritur paraprakisht në pozitën e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të një divizioni brenda AAC-së, me një vendim të marrë më 5 maj 2025 nga ish-u.d. Drejtori i Përgjithshëm Burim Dinarama — vetëm një javë para pensionimit të tij.
Po ashtu, ngritja e Krasniqit është bërë pa përfunduar ende procesi i sistematizimit të brendshëm të AAC-së, duke i shtuar kështu edhe një tjetër element joligjshmërie dhe mungese të transparencës procedurale.
Matej Krasniqi figuron si drejtor gjeneral dhe aksionar në kompaninë tjetër “Tormat SH.P.K.” e cila merret me shërbime ndihmëse për transportin ajror dhe veprimtari të agjencive të udhëtimit.
Shkeljet në emërimet e larta në AAC janë të njohura edhe nga e kaluara.Në nëntor të vitit 2023 në të njëjtën pozitë ishte emëruar Alban Ramabaja.por vendimi u shfuqizua nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), me arsyetimin se emërimi ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi zyrtari i caktuar nuk i përmbushte kriteret e pozitës më të lartë pasuese, sipas strukturës hierarkike./Indeksonline/