Blerta Deliu- Kodra: Kurti duhet të reflektojë para se të flasë për PDK-në

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në një intervistë për RTK-në tha se PDK-ja duhet të mbetet në opozitë.
Deliu-Kodra tha se është për keqardhje që kryeministri pas një kohe të gjatë doli në një intervistë publike dhe, sipas saj, nuk tregoi asnjë reflektim mbi situatën aktuale politike në vend.
“Unë nuk do të komentoj deklaratat e tij. Por është për të ardhur keq që pas kaq kohe, kryeministri zgjodhi të flasë pa dhënë asnjë zgjidhje për krizën institucionale që po kalon Kosova. Përgjegjësia për t’i hapur rrugë zhvillimeve dhe formimit të institucioneve i takon partisë që ka fituar shumicën e mandateve”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se para se të merret me komentimin e PDK-së, Kurti duhet të marrë përgjegjësi për bllokadën institucionale që po zgjat tash e tre muaj.
“Para se të flasë për PDK-në, z. Kurti duhet të reflektojë dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes së kësaj krize që po mban peng Kosovën”, përfundoi Deliu-Kodra.